Fitorja e George Russell garën e fundit të Formula 1 zhvilluar në Singapor shijon si një rikthim i ëmbël për pilotin e Mercedes. Anglezi përjetoi një nga momentet më të këqija të karrierës së tij në të njëjtën pistë në vitin 2023, duke u përplasur në xhiron e fundit ndërsa duelonte për fitoren.
Këtë herë, Russell ishte perfekt: Ai mori “pole” të shtunën, nuk bëri gabime në fillim dhe e ruajti kryesimin gjatë gjithë garës. Ky është një tjetër demonstrim pjekurie në një sezon që padyshim po dëshmohet të jetë më i miri i karrierës së pilotit të Mercedes.
Vetë Russell theksoi se tashmë ai është një pilot i ndryshëm nga ai që ishte dy vjet më parë dhe i dërgoi atë që dukej si një mesazh i qartë Toto Wolff, duke pasur parasysh se kontrata e tij nuk është rinovuar ende.
“Kjo pistë nuk ka qenë “miku im më i mirë” për mua gjatë viteve dhe kjo shpesh ishte për fajin tim. Por sot jam një pilot shumë i ndryshëm nga ç’isha disa vite më parë. Ndihem më i plotë, më i sigurtë”, deklaroi Russell.
“E di saktësisht se çfarë duhet të bëj në rrethana të caktuara. Sigurisht, isha nervoz para garës, por nuk ndjeva ndonjë tension të veçantë apo presion të shtuar. E dija që kisha një shans për të fituar dhe u ndjeva rehat. Tani ndihem gati të luftoj për kampionatin. Ndihem gati të bëj hapin tjetër”, tha Russell.