Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në Leskovac një ndeshje shumë të rëndësishme në rrugëtimin e saj drejt Botërorit 2026 përballë Serbisë.
Kuqezinjtë duan të ruajnë vendin e dytë në grup dhe një rezultat pozitiv do ta afronte më shumë ekipin e drejtuar nga Silvinjo me sigurimin e play-off të turneut.
Në Serbi nuk ka tifozë shqiptarë sipas marrëveshjes së dy federatave, por në kryeqytet janë mbledhur në
“Sheshin Italia”, për të ndjekur sfidën e shumëpritur.
“Tifozat Kuq e Zi”, grupimi ultras që ndjek kombëtaren prej 22 vitesh jashtë dhe brenda vendit, kanë marrë masat për një organizim në Tiranë.
Siç mund të shihni dhe nga pamjet, atmosfera që kanë krijuar është mjaft e zjarrtë, në mbështetje të kuqezinjve nga të cilët shpresohet sonte një fitore historike në Serbi.