Kosova ka shkruar një tjetër faqe të artë në historinë e saj futbollistike, duke triumfuar me rezultat minimal 1-0 në transfertën e vështirë ndaj Suedisë, në stadiumin “Nya Ullevi” të Goteborgut.
Një fitore me vlerë për skuadrën e Franco Fodës, që tani jo vetëm siguron një pozicion të favorshëm për “play-off”, por mban gjallë edhe ëndrrën për vendin e parë në grup.
Ndeshja u vendos në minutën e 32-të, kur pas një goditjeje të fuqishme të Vedat Muriqit, topi mbeti në zonë dhe Fisnik Asllani reagoi më shpejt se mbrojtja suedeze, duke e dërguar topin në rrjetë për 0-1. Goli ndezi festën “dardane” në shkallët e stadiumit, ku tifozët e Kosovës krijuan një atmosferë elektrizuese gjatë dhe pas takimit.
Fitorja e Kosovës vjen një ditë pas triumfit të Shqipërisë në Serbi, duke entuziazmuar të gjithë shqiptarët anembanë botës.
Për sukseset shqiptare ka reaguar lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili në një status në “Facebook” shkruan: “Pas fitores ndaj Serbisë nga kuqezinjtë, ekipi i Kosovës ia zbardhi faqen kombit, Zoti i bekoftë!”.