Saturday, 25. April 2026
Sport

Tensione në Udine: fishkëllima ndaj himnit izraelit dhe përleshje gjatë protestës pro Palestinës

GS 14/10/2025 1 Min. Lesezeit

Atmosferë e tensionuar në qytetin e Udines, para dhe gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026 mes Italisë dhe Izraelit.

Para fillimit të takimit, një pjesë e tifozëve në stadium fishkëllyen himnin izraelit, ndërsa disa të tjerë u kundërpërgjigjën me duartrokitje, duke krijuar një skenë të ndarë mes publikut. Në “Bluenergy Stadium” ishin të pranishëm rreth 10 mijë spektatorë.

Ndërkohë, në qendër të qytetit u zhvillua një manifestim pro-palestinez, ku morën pjesë afërsisht 8 mijë persona. Kur protestuesit arritën në Piazza Primo Maggio, disa prej tyre, një grup i vogël ekstremistësh, shumë prej të cilëve nga jashtë Italisë, tentuan të çanin kordonin e policisë me synimin për të ecur drejt stadiumit.

Policia ndërhyri menjëherë, duke përdorur autoblinda, kordone sigurie dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën. Gjatë përplasjes u hodhën fishekzjarrë dhe mjete piroteknike ndaj forcave të rendit.

Sipas raportimeve lokale, një gazetar dhe një karabinier kanë mbetur të plagosur gjatë përleshjeve. Autoritetet e sigurisë e kanë cilësuar situatën “të tensionuar, por nën kontroll”.

Teilen: