Friday, 24. April 2026
Sport

PSG, gati ta braktisë mitikun ‘Parc des Princes’ nëse Bashkia e Parisit nuk ia shet

GS 18/10/2025 2 Min. Lesezeit

Paris Saint-Germain mund të jetë në prag të një vendimi historik për të ardhmen e stadiumit të tij. Sipas raportimeve nga ‘RMC After Foot’, kampionët e Francës po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e largimit nga “Parc des Princes” dhe zhvendosjes në ‘Poissy’ (në rajonin Yvelines), nëse Bashkia e Parisit nuk pranon ta shesë impiantin.

Gazetari Daniel Riolo tha se gjithçka mund të varet nga zgjedhjet bashkiake që do të mbahen pas disa muajsh: “Nëse zgjedhjet në Paris shkojnë keq për klubin, ‘Poissy’ është thuajse e sigurt si destinacioni i ri,” deklaroi ai.

Megjithatë, “Parc des Princes” nuk do të braktiset plotësisht. Sipas burimeve, stadiumi aktual do të përdoret për ndeshjet e ekipit të femrave, takimet e Youth League, evente korporatash dhe koncerte.

Negociatat mes klubit dhe Bashkisë së Parisit për shitjen e plotë të stadiumit janë në ngërç prej muajsh. Pavarësisht se autoritetet kanë shprehur gatishmëri për të lejuar zgjerimin e impiantit, PSG kërkon pronësinë e plotë për të nisur një projekt madhor modernizimi.

Sipas Riolos, planet e rinovimit përfshijnë rritjen e kapacitetit në 53 mijë vende, forcimin e çatisë, krijimin e një zone panoramike në tarracë, një muze të klubit dhe një megadyqan të ri të integruar brenda stadiumit.

Nëse bashkia nuk ndryshon qëndrim, PSG mund të lërë pas “shtëpinë” e saj historike, ku ka luajtur që prej vitit 1974.

Teilen: