Volejbollistet e Pogradecit po tregojnë se janë pretendentet serioze për titullin kampion. Pas fitores një javë më parë ndaj Dinamos, vajzat liqenore mposhtën këtë javë edhe Tiranën, një tjetër skuadër që synon fronin e volejbollit shqiptar.
Në një sfidë të fortë e të luftuar deri në fund, Pogradeci triumfoi me rezultatin 3–1, në një ndeshje ku çdo set u vendos në pikët e fundit.
Skuadra e trajnerit Besnik Lisha fitoi setin e parë 25–21, ndërsa Tirana reagoi menjëherë duke barazuar ndeshjen me fitoren 19–25 në setin e dytë. Seti i tretë ishte vendimtar: megjithëse tiranaset kryesuan deri ne 16-9 por Pogradeci përmbysi rezultatin dhe fitoi 25–20.
Seti i katërt solli rivalitetin më të madh të takimit, me kombinacione të bukura duke dhuruar emocione deri në fund, por sërish ishin pogradecaret që triumfuan 25–23, duke mbyllur ndeshjen 3–1.
Në fitoren e radhës spikatën Paola Gjata, Kejda Kodra dhe Anxhela Mehmeti, të cilat po bëhen shtylla kryesore të ekipit. Me këtë sukses, Pogradeci ngjitet i vetëm në krye të renditjes, duke lënë pas Tiranën, Dinamon dhe Skënderbeun.
Skuadra liqenore po tregon javë pas jave se është gati për titullin kampion të këtij sezoni.