Ka përfunduar xhiroja e tetë në Superligën e Kosovës, ku ekipi i Prishtinës, ka vazhduar formën e shkëlqyer duke regjistruar fitoren e pestë radhazi. Kryeqytetasit mposhtën Drenicën në një përballje dramatike me rezultat 3-4, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu”. Skuadra bardhekaltër e nisi fuqishëm ndeshjen, duke kaluar në epërsi që në minutën e 3-të me golin e Hamdi Namanit, pas një asistimi të bukur nga Mario Ilievski. Vetëm 13 minuta më vonë, Ilievski dhuroi një tjetër asist, këtë herë për Valmir Veliun, i cili dyfishoi epërsinë në 0-2. Dominimi i Prishtinës vazhdoi edhe më tej, dhe në minutën e 36-të talenti Zeqiri shënoi golin e tretë, duke vulosur rezultatin e pjesës së parë në 0-3. Në pjesën e dytë, Prishtina nuk ndali ritmin dhe shënoi golin e katërt përmes Valmir Veliut, i cili realizoi dygolëshin personal. Megjithatë, Drenica nuk u dorëzua dhe nisi rikthimin. Fillimisht Genc Hamiti ngushtoi rezultatin në 1-4, e më pas Jeton Krasniqi shënoi për 2-4, duke rikthyer shpresat për kuqezinjtë. Presioni i vendasve vazhdoi deri në minutat e fundit, kur Igball Jashari realizoi për 3-4, por pa mundur të shmangë humbjen. Me këtë fitore, Prishtina forcon pozitën e saj si lidere e kampionatit, me 22 pikë të grumbulluara. Ndërkohë, Drenica regjistron humbjen e tretë radhazi dhe renditet në vendin e pestë me 11 pikë.
Fitore morri edhe Ballkani, ndaj Dukagjinit të Ismet Munishit, në Suharekë me rezultat 2-0. Golat për suharekasit i realizoi Kryeziu në minutën e 54-të dhe një autogol nga Margono në minutën e 75-të i dha epilogun e ndeshjes në 2-0. Me këtë fitore Ballkani renditet në vendin e dytë në tabelë me 18 pikë dhe në ndeshjen e radhës do të presë në shtëpi Gjilanin, ndërsa Dukagjini zë vendin e tretë me 14 pikë dhe ndeshjen e ardhshme e luan në transfertë te Prishtina.
Pikët u ndanë në mes të Llapit dhe Ferizajit, të cilët barazuan në 1-1 në një ndeshje tejet dinamike dhe të luftuar, e cila prodhoi emocione deri në minutat e fundit. Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndonëse të dyja skuadrat krijuan raste të mira për të kaluar në epërsi. Mungoi konkretizimi dhe 45 minutat e para u mbyllën me rezultat të bardhë, 0-0. Pas pushimit, Llapi u tregua më kërkues dhe arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 60-të, kur Muhamet Hyseni realizoi për 1-0. Megjithatë, reagimi i mysafirëve ishte i menjëhershëm. Vetëm pesë minuta më vonë, Betim Haxhimusa barazoi rezultatin me një gol spektakolar me gërshërë, duke e rikthyer Ferizajn në lojë. Ferizaj pati një rast të artë për ta përmbysur rezultatin me Donart Llabjanin, por portieri Coric reagoi mrekullisht për të shpëtuar Llapin. Në fund, ndeshja u mbyll pa fitues dhe të dyja skuadrat ndajnë nga një pikë. Aktualisht, Llapi dhe Ferizaj kanë nga 10 pikë në tabelë. /ATVLIVE.TV