Xherdan Shaqiri është një nga lojtarët më në formë në Superligën e Zvicrës, ndonëse është në moshën 34-vjeçare.
Ai aktualisht është pjesë e Baselit, me të cilin sezonin e kaluar fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Zvicrës.
Mirëpo, magjinë e tij, Shaqiri nuk do ta shfaqë me kombëtaren e Zvicrës, pasi tash e një vit është pensionuar nga kombëtarja helvetike.
Shaqiri, i cili është me prejardhje nga Kosova, më saktësisht nga Zhegra e Gjilanit, ka bërë me dije se ndonëse jo si futbollist, mund të jetë i pranishëm si tifoz në Prishtinë, për ndeshjen Kosovë – Zvicër, që luhet për xhiron e fundit të kualifikimeve për Botëror.
“Unë shikoj pothuajse çdo ndeshje, plot emocione. Ekipi është në rrugë të mbarë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës. Madje mund të udhëtoj në Kosovë si spektator për ndeshjen e fundit kualifikuese”, ka thënë ai për “Bazonline.ch”.
Shkurtimisht, Shaqiri e ka mohuar kategorikisht rikthimin te Zvicra, edhe nëse kualifikohet për Botërorin e vitit 2026.
“Jo, nuk do të luaj më për Zvicrën”, ka thënë ai.
Ndeshja Kosovë – Zvicër do të luhet më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ndeshja e parë mes këtyre dy kombëtareve në këtë cikël kualifikues përfundoi 4-0 për Zvicrën.
Kosova është e dyta në grupin B të kualifikimeve me shtatë pikë nga katër ndeshje, teksa Zvicra ka dhjetë pikë.
Në varësi të disa kombinimeve rezultatesh, ndeshja Kosovë – Zvicër mund të shndërrohet në një finale për kualifikim direkt në Botëror.