Sezoni i 80-të i NBA-së nisi me spektakël të madh dhe dy ndeshje emocionuese.
Në sfidën hapëse, kampionët në fuqi të Oklahomës mposhtën Houston Rockets pas dy kohëve shtesë me rezultatin 125-124, në një ndeshje që dhuroi drithërima deri në sekondat e fundit.
Heroi i mbrëmjes ishte Shai Gilgeous-Alexander, i cili fillimisht barazoi rezultatin për ta dërguar ndeshjen në shtesë, e më pas vulosi fitoren me një tjetër kosh në sekondat e fundit.
Ylli kanadez e mbylli duelin me 35 pikë, 5 ribaunde dhe 5 asistime, duke udhëhequr Oklahomën drejt fitores së parë sezonale.
Atij iu bashkua edhe Chet Holmgren me 28 pikë dhe 7 kërcime, duke treguar se Thunder do të jetë sërish forcë e frikshme këtë sezon.
Në krahun tjetër, Alperen Sengun shkëlqeu me 39 pikë, 11 kërcime dhe 7 asistime, ndërsa Kevin Durant shtoi 23 pikë e 9 kërcime për Houstonin, që megjithatë doli pa shpërblim nga kjo përballje epike.
Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Golden State Warriors mposhti LA Lakers me rezultat 119-109, në një duel ku mungoi LeBron James, i cili për herë të parë në karrierë nuk luajti në hapje të sezonit.
Edhe pse Luka Doncic zhvilloi një paraqitje spektakolare me 43 pikë, 12 kërcime dhe 9 asistime, Lakers nuk mundën të shmangnin humbjen.
Doncic u bë lojtari i parë i Lakers që nga Kobe Bryant në vitin 2007 që e hap sezonin me mbi 40 pikë, duke rikthyer kujtimet e legjendës së ndjerë.
Austin Reaves shtoi 26 pikë e 9 asistime, por kjo nuk mjaftoi kundër Warriors, ku Jimmy Butler shkëlqeu me 31 pikë, ndërsa Steph Curry kontribuoi me 23 pikë.


