Sporti shpesh dhuron histori që duken të pabesueshme edhe për një skenar filmi, por ajo që po vjen nga Suedia është një përrallë brenda një përralle. Klubi i vogël Mjällby, me qendër në një qytet prej vetëm 1.400 banorësh, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u shpallur kampion i Suedisë pas një sezoni magjik dhe të paharrueshëm.
Në qendër të kësaj mrekullie që tashmë quhet “Leicesteri suedez” qëndron trajneri Anders Torstensson, njeriu që ka udhëhequr skuadrën drejt majës, ndërsa vetë po përballet me një betejë shumë më të vështirë jashtë fushës së lojës.
Në gusht të vitit 2024, Torstensson mori një lajm tronditës: diagnozën e leucemisë limfatike kronike. Megjithatë, 59-vjeçari, ish-mësues në profesion, nuk u dorëzua. “Që nga ajo ditë, ndiej se jam bërë më i fortë. E kuptova vlerën e jetës, rëndësinë e çdo dite që kalon. Në njëfarë mënyre, e lë diagnozën në spital. E kam pranuar dhe nuk më pengon të jetoj e të punoj me pasion,” – rrëfeu ai.
Sëmundja i ka mësuar një filozofi të re: të mos marrë asgjë si të mirëqenë. “Nuk e shtyj asgjë për nesër. Ndoshta edhe për këtë arritëm të fitojmë. Të gjithë na pyesin cili është sekreti ynë, por s’ka sekrete. Ka vetëm rreth 500 gjëra që i kemi bërë çdo ditë me përpikëri të jashtëzakonshme, pa bërë kurrë kompromis.”
Fitorja e Mjällby-t është një mesazh frymëzimi: një shembull se forca e shpirtit dhe dashuria për jetën mund të mposhtin çdo pengesë, madje edhe kancerin.