Thursday, 23. April 2026
Sport

FIS mbyll dyert për Rusinë dhe Bjellorusinë: as atletë neutralë në ‘Milano-Cortina 2026’

GS 23/10/2025 2 Min. Lesezeit

Federata Ndërkombëtare e Skive (FIS) ka konfirmuar përjashtimin e sportistëve rusë dhe bjellorusë nga Lojërat Olimpike Dimërore ‘Milano-Cortina 2026’, duke ndaluar pjesëmarrjen e tyre edhe nën statusin e “Atletëve Individualë Neutralë” (AIN).

Vendimi, i bërë publik nga institucioni i drejtuar nga Johan Eliasch shuan çdo shpresë për një rikthim të atletëve nga dy vendet e përfshira në luftën kundër Ukrainës në garat kualifikuese për Olimpiadën e ardhshme. Në komunikatën zyrtare, FIS theksoi se pas një shqyrtimi të kujdesshëm, këshilli vendosi të mos lejojë asnjë formë pjesëmarrjeje për sportistët rusë dhe bjellorusë në disiplinat e saj, përfshirë skitë alpine, skitë nordike dhe snowboard.

Ky vendim vjen në kontrast me qëndrimin e disa federatave të tjera ndërkombëtare, si ISU (për patinazhin) dhe ISMF (për ski alpinizëm), të cilat kanë pranuar statusin AIN si zgjidhje kompromisi. Nga ana e saj, Federata Ruse e Skive reagoi me një deklaratë të ashpër, duke e cilësuar këtë si “një politikë diskriminuese që shkel parimet themelore të neutralitetit sportiv”. Sipas tyre, vendimi i FIS-it nuk bazohet në vlerat e sportit, por në presione politike që dëmtojnë sportistët e pafajshëm.

Si rrjedhojë, sportistët rusë dhe bjellorusë do të mund të marrin pjesë në Milano-Cortina 2026 vetëm në pak disiplina të pranuara nga organizata të tjera, si patinazhi artistik, short track-u, patinazhi i shpejtësisë dhe ski alpinizmi. Kjo e kufizon ndjeshëm praninë dhe shanset e tyre për medalje olimpike, duke i lënë jashtë në disa prej sporteve më të njohura dimërore ku tradicionalisht kanë shkëlqyer.

Teilen: