Interi bën gati një përforcim që do të ishte një garanci për të ardhmen e sulmit zikaltër.
Sipas mediave argjentinase, më saktësisht “TyC Sports”, zikaltrit janë të gatshëm të bëjnë një shpenzim shumë të rëndësishëm ekonomik për të siguruar një nga talentet më të mirë në qarkullim në Serinë A, sulmuesin Niko Paz.
Sulmuesi argjentinas po shkëlqen me Komon duke u bërë protagonist në çdo aksion goli të kësaj skuadre dhe duke e kthyer atë në një pretendente për pozicionet e larta në renditjen e Serisë A.
Por kartoni i tij i përket pjesërisht Real Madridit. Madrilenët mund të riblejnë ish-lojtarin e tyre falë një klauzole prej 10 milionë eurosh në verën e ardhshme dhe kësisoj, Interi i ka dalë punës para duke kontaktuar klubin e Florentino Perez dhe jo Komon.
Zikaltrit ofrojnë që tani 58 milionë euro për kartonin e lojtarit, një shifër që do të kënaqte kërkesat ekonomike të Realit, i cili do të siguronte të ardhura të ndjeshme nga argjentinasi.
Interi ka vendosur prej kohësh kontaktet me djaloshin pasi Havier Zaneti ka takuar për darkë disa herë babain e futbollistit.
Paz e ka nisur këtë sezon shumë mirë me 4 gola dhe 4 asiste me fanellën e Komos.
Një përmirësim i ndjeshëm për lojtarin i cili në vitin e kaluar në gjithë sezonin shënoi 6 gola.


