Thursday, 23. April 2026
Sport

Laporta: Ndeshja Villarreal–Barça në Miami do të sillte sponsorizime të mëdha

GS 24/10/2025 2 Min. Lesezeit

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur për “El Mundo Deportivon” në prag të “El Clásico”-s që do të luhet të dielën në “Santiago Bernabéu”, duke prekur edhe çështjen e diskutueshme të ndeshjes me Villarrealin, e cila duhej të zhvillohej në Miami.

Laporta u shpreh se për skuadrën e tij, përballja me Real Madridin është gjithmonë ndeshja më e veçantë e sezonit:

“Në një ‘El Clásico’ gjithçka është ndryshe, është ndeshja e rivalitetit më të madh. Lojtarët janë shumë të motivuar, kushdo që luan do të japë maksimumin. Jam i bindur se do të na bëjnë të festojmë dhe se do të fitojmë në ‘Bernabéu’, ashtu si vitin e kaluar.”

Sa i përket pezullimit të trajnerit Hansi Flick, Laporta theksoi:

“E kam thënë edhe më parë: pa dashur të kritikoj arbitrat, ka situata që duhen rishikuar. Kartoni i parë i verdhë ishte një vendim arbitri, por pastaj u prit reagimi i trajnerit, dhe kjo më duket e qëllimshme. Gil Manzano mund ta kishte shmangur. Megjithatë, Hansi e ka pranuar situatën me qetësi.”

Më pas, presidenti katalanas foli për çështjen e ndeshjes së planifikuar në Miami, që më pas u anulua:

“Respektojmë vendimin e LaLiga-s, por nuk jam dakord që kompeticioni do të ishte manipuluar. Do të ishte një ndeshje për të promovuar LaLiga-n dhe për të gjeneruar të ardhura të mëdha, me përfitime për të gjitha klubet. Do të kishte sjellë sponsorizime dhe do të ndihmonte imazhin e Barcelonës. Ishte një ide e mirë. Por reagimi i lojtarëve, i AFE-së dhe fakti që Real Madridi e çoi çështjen në Këshillin e Sportit (CSD) e penguan këtë iniciativë. Mendoj se kjo e dëmtoi LaLiga-n.”

Teilen: