Tirana vazhdon periudhën e errët në kampionat, duke pësuar një tjetër humbje, këtë herë në “Air Albania”, përballë Elbasanit me rezultatin 1-4. Bardheblutë nuk po gjejnë mënyrën për të reaguar, ndërsa verdheblutë e drejtuar me qetësi dhe ambicie nga Gvozdenovic po tregojnë se kanë potencial për të qenë pjesë e garës për trofe, edhe pse sezoni është ende në fazat e para.
Ndeshja nisi me një ritëm të kujdesshëm nga të dyja skuadrat, por Elbasani u tregua më konkret dhe shfrytëzoi me zgjuarsi rastet që pati në pjesën e parë. Në minutën e 38-të erdhi goli i avantazhit për verdheblutë: pas një goditjeje këndi, Musta goditi me kokë dhe Tafas reagoi fillimisht, por Tsage ishte i shpejtë për të ndjekur aksionin dhe e shtyu topin në rrjetë, duke çuar miqtë në epërsi.
Vetëm katër minuta më pas, në të 42-ën, Elbasani dyfishoi rezultatin. Musta provoi me një goditje të fortë nga distanca, Tafas nuk arriti ta kontrollonte sferën, ndërsa Lulaj dhe Tsage u gjendën aty për të përfituar, me sulmuesin afrikan që e shtyu topin sërish në rrjetë për 0-2. Tirana u trondit dhe nuk gjeti forca për reagim deri në fund të pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë, bardheblutë u përpoqën të ndryshonin fatin e takimit. Përpjekjet e tyre u shpërblyen në minutën e 65-të, kur pas një goditjeje dënimi nga e majta, Tabeku kërceu më lart se të gjithë dhe me kokë shkurtoi diferencën në 1-2. Megjithatë, deri në fund, skuadra kryeqytetase jo vetëm që nuk arriti të gjente golin e barazimit, por pësoi në shtesë edhe dy gola të tjerë që mbajnë firmën e Ze Gomes dhe Diallo.
Kështu, Elbasani del nga “Air Albania” me tri pikë të arta dhe shkon në kuotën e 17 pikëve, duke u ngjitur në vendin e tretë të renditjes. Tirana, në anën tjetër, mbetet në zonën e ftohtë të tabelës, me vetëm dy pikë më shumë se Flamurtari, që mbyll klasifikimin.




