Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, e cilësoi humbjen 0–2 ndaj Dinamos si rezultat i disa episodeve aksidentale dhe jo si pasojë e epërsisë së kundërshtarit. Në përfundim të ndeshjes, tekniku i kuq vlerësoi paraqitjen e ekipit të tij, duke theksuar se skuadra kishte zhvilluar një lojë të mirë, pavarësisht mungesës së tre lojtarëve liderë.
“Ekipi u përgjigj mirë, pësuam një gol aksidental në momentin më të mirë për ne. Krijuam raste, madje shënuam, por na u anulua. Janë situata që ndodhin, por më pëlqeu qasja dhe agresiviteti i djemve. Rezultati nuk pasqyron domosdoshmërisht lojën në fushë, por do të ecim përpara, sepse të hënën kemi një tjetër ndeshje,” – deklaroi Kërnaja.
Ai insistoi se Dinamo nuk kishte qenë dominuese në pjesën më të madhe të lojës: “Nuk na imponuan ata. Përveç 10 minutave të para, kur ishim pak të pasigurt në linjën e dytë, më pas morëm kontrollin. Krijuam raste të pastra, si ai i golit të anuluar. Në fund, pas golit të dytë, rrezikuam më shumë për të kthyer rezultatin, por Dinamo u mbrojt mirë.”
Kërnaja shpjegoi se goli i parë i Dinamos erdhi pas një gabimi individual: “Nuk ishte presioni i Dinamos, por një pasim i gabuar i Kotes. Bytyçi u mundua ta mbyllte, por topi përfundoi në zonë dhe u shfrytëzua. Ishte një rast i pafat.”
Në mbyllje, tekniku premtoi reagim të menjëhershëm: “Do të analizojmë çdo detaj dhe do të përgatitemi ndryshe për ndeshjen e ardhshme. Futbolli i ka këto, por ne nuk dorëzohemi.”


