Jordi Alba ka surprizuar botën e futbollit me vendimin e tij për t’u tërhequr nga futbolli në moshën 36-vjeçare, duke pranuar se nuk ishte trupi ai që i kërkoi të ndalonte, por mendja. Ish-mbrojtësi i Barcelonës dha një intervistë ekskluzive nga qendra stërvitore e Inter Miami-t në Fort Lauderdale, ku foli me sinqeritet për arsyet e këtij vendimi.
Alba deklaroi se gjatë vitit të fundit ka nisur të ndiejë ndryshime të brendshme, të cilat e shtynë drejt mbylljes së kapitullit të tij në futboll. “Fillova të mendoja për gjëra të tjera që më emociononin më shumë,” u shpreh ai. “Kur nuk je 100% aty, atëherë vjen momenti për të reflektuar. Të gjithëve u vjen koha.”
Edhe pse në pranverë ai rinovoi kontratën me Inter Miami-n dhe ishte i vendosur të luftonte për Kupën e parë të MLS me Lionel Messin, Alba theksoi se vendimi ka qenë i menduar mirë dhe i marrë me bindje të plotë. Ai pranoi se është gati ta shijojë deri në fund fazën më emocionuese të sezonit, ndeshjet e “playoff”-it, ku siç tha, “askush nuk e di se cila ndeshje do të jetë e fundit”.
“Po mbyll diçka që kam bërë që katër vjeç,” shtoi ai me emocion. “Do të isha i trishtuar edhe pas katër ose pesë vitesh. Ky është momenti i duhur.”
Një karrierë e jashtëzakonshme mbyllet me dinjitet, dhe Jordi Alba largohet nga futbolli i luajtur me krenari, duke lënë pas një trashëgimi të madhe si një prej mbrojtësve të majtë më të suksesshëm të epokës moderne.


