Ardian Nuhiu e nisi aventurën e tij në stolin e Tiranës me humbje, duke mos arritur të marrë pikë në ndeshjen hapëse të javës së 10-të të Superiores, e para për fazën e dytë të kampionatit. Bardheblutë u mposhtën në “Selman Stërmasi” nga Bylisi, duke e komplikuar edhe më shumë situatën në fundin e tabelës dhe duke shtuar presionin në luftën për mbijetesë. Me këtë paraqitje, kryeqytetasit duhet të mendojnë seriozisht si të shmangin rënien nga kategoria, pasi gabimet individuale dhe mungesa e qartësisë në fazën e fundit të lojës vazhdojnë të jenë problemi kryesor.
Ndeshja nisi keq për Tiranën: në minutën e 10-të, Dembele humbi topin pranë zonës së tij, duke i dhënë mundësinë Përgjonit të depërtojë i qetë drejt portës së Tafas dhe ta mposhtë pa vështirësi. Bylisi vazhdoi të kërcënonte, me Përgjonin që në minutën e 18-të dhe 27-të u afrua sërish te goli, por Tafas reagoi mirë për të mbajtur në lojë ekipin e tij.
Tirana pati rastin më të mirë në minutën e 34-t, kur Soler dha një pasim të jashtëzakonshëm për Mensah, por ky i fundit goditi gabim në zonë duke e dërguar topin jashtë. Në minutën e 71-të erdhi goditja përfundimtare: një top i gjatë i Bylisit u kthye gabimisht me kokë nga Vera, i cili befasoi portierin e vet Tafas dhe shënoi autogolin që vulosi fitoren 2-0 për ekipin nga Ballshi.
Ky trepikësh është shumë i rëndësishëm për Bylisin e trajnerit Ilir Josa, që ngjitet në mesin e tabelës dhe fiton moral për vazhdimin e sezonit. Ndërkohë, Tirana mbetet në krizë të thellë dhe pas këtij starti zhgënjyes për Nuhiun, bardheblutë duhet të reagojnë menjëherë në ndeshjet e ardhshme për të mos rrezikuar një sezon dramatik.


