E marta ofron një përballje spektakolare të dy skuadrave të kreut në Rrogozhinë, ku Egnatia pret Vllazninë, kjo e fundit e mundur javën e kaluar nga Flamurtari. Drejtori Sportiv, Vioresin Sinani garanton se humbja nuk e ka prishur humorin dhe kuqeblutë shkojnë me të njëjtin objektiv si në çdo ndeshje tjetër.
Java e dhjetë e Abissnet Superiore rezervon një përballje spektakolare në Rrogozhinë të martën, ku Egnatia, kampione e vendit dhe e dyta aktualisht, pret kryesuesen e kampionatit, Vllazninë. Diferenca tani është vetëm një pikë, pas fitores së Egnatias me Teutën dhe humbjes së kryesuesve me Flamurtarin në Vlorë. Vioresin Sinani, drejtori sportiv i Vllaznisë, tha në konferencën për shtyp të hënën se skuadra e drejtuar nga Edi Martini gëzon gjendje të mirë dhe shkon në Rrogozhinë me të njëjtin objektiv si në çdo ndeshje.
“Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Do të ndeshemi me një skuadër që meriton respekt, kampione në fuqi, por Vllaznia nuk i frikësohet askujt. Shkojmë për fitore dhe jam i bindur që kështu do të jetë deri në fund të kampionatit”.
Humbja në Vlorë prishi ecurinë pozitive prej gjashtë ndeshje, por Sinani garanton se ajo nuk e ka prishur humorin dhe skuadra është e përqendruar te Egnatia.
“Ajo ndeshje është e kaluaar, ekipi është mirë në çdo aspekt, djemtë dhe trajneri duhen përgëzuar se kanë bërë një fazë të parë të mrekullueshme duke qenë se janë në vendin e parë, humbja ka kaluar, tifozët kanë filluar të shtohen, kam fjalë të mira për trajnerin, stafin dhe djemtë”.
A e priste Sinani në prag të kampionatit një fazë të parë të tillë nga Vllaznia?
“Me ekipin që është krijuar në fillim kemi pritur rezultate të mira, skemi dhënë deklarata bombastike, llogaria bëhet në fund. Kemi një ekip të mirë, do të luftojnë për trofe, por duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe të marrim fitoren”.
			

