Java e dhjetë e Kategorisë Superiore kulmon sot me dy sfida tepër të rëndësishme, që pritet të sjellin tension, rivalitet dhe emocione të forta në luftën për objektivat sezonalë. Dy ekipe luftojnë për të shmangur fundin e tabelës, ndërsa dy të tjera synojnë majën e renditjes.
Në “Arenën e Demave”, Vora pret Partizanin në një duel direkt për mbijetesë. Të dyja skuadrat gjenden pranë zonës së rënies dhe rezultati i kësaj ndeshjeje mund të përcaktojë se kush do të mbetet në pozita të vështira pas kësaj jave. Presioni është maksimal dhe çdo pikë ka vlerë jetike.
Ndërkohë, supersfida e ditës luhet mes Egnatias dhe Vllaznisë. Dy skuadra pretendente për kreun e klasifikimit përballen me synimin e vetëm: fitoren. Çdo rezultat tjetër do të ishte hap fals në garën për titull, teksa rivaliteti dhe cilësia pritet të shfaqen në maksimum në këtë takim.
Orari i ndeshjeve
Vora – Partizani, ora 16:00
Egnatia – Vllaznia, ora 16:00


