Pak pilotë në Formula 1 mund të thonë se kanë një marrëdhënie të veçantë me një pistë sa Max Verstappen me Interlagos. Pista braziliane ka ofruar shumë momente unike në karrierën e 4 herë kampionit të botës, nga kalimi i tij epik nga jashtë ndaj Nico Rosberg në vitin 2016 deri te fitorja e tij e paharrueshme vitin e kaluar, me rikthimin e tij nga vendi i 17-të në të parin që në thelb i siguroi atij titullin për pilotë.
“Brazili është një vend i veçantë për mua, jo vetëm për shkak të garave të pabesueshme dhe momenteve fantastike që kemi pasur atje, por edhe sepse vjehrrit e mi janë brazilianë“, theksoi Verstappen, i cili është i lidhur romantikisht me Kelly Piquet, vajzën e Nelson Piquet, 3 herë kampion bote.
“Mund të bjerë shumë shi atje, kështu që garat mund të jenë mjaft të çmendura. Mendoj veçanërisht për vitin e kaluar, ku fituam pasi u kualifikuam në vendin e 17-të. Ishte një fitore emocionale dhe një moment i rëndësishëm për kampionatin. Do të vesh një helmetë të veçantë kushtuar Brazilit për këtë garë. Është një vend me shumë histori dhe traditë të shkëlqyer, por gjithashtu mban shumë kujtime të mrekullueshme për mua”, tha Verstappen.
Më tej, holandezi tha: “Zgjodha ngjyrat tradicionale për helmetën, të cilat vërtet bien në sy. Mendoj se dizajni është vërtet i bukur dhe mezi pres ta vesh në pistë. Tifozët janë super të apasionuar dhe gjithmonë më ka pëlqyer të garoj në një pistë kaq historike. Të shohësh atë atmosferë dhe të jesh pjesë e saj është e pabesueshme.”


