Një ditë historike për qytetin e Milano-s: stadiumi legjendar i ‘San Siros’ është tani zyrtarisht pronë e dy klubeve më të mëdha të qytetit, Interit dhe Milanit. Kontrata e shitjes për kalimin e pronësisë së impiantit dhe zonave përreth nga Komuna te klubet është firmosur këtë të martë.
Sipas kryebashkiakut të Milano-s, Giuseppe Sala, vonesa e mëparshme në finalizimin e procesit u lidhi më shumë me çështje teknike të brendshme mes dy klubeve sesa me Komunën. Kontrata filloi rreth orës 10:00 dhe u mbyll rreth orës 12:00. “Gjërat e bukura gjithmonë kërkojnë kohë”, deklaroi presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, pasi doli nga zyra e noterit Filippo Zabban në qendër të Milano-s.
Detajet ekonomike dhe afati i 10 nëntorit
Shitja u bë e mundur pas miratimit nga Këshilli Bashkiak. Shuma totale e dakordësuar është 197 milionë euro, të cilat do të paguhen në disa këste. Në ditët e fundit, u përfunduan garancitë bankare për pagesën e këstës së parë, rreth 100 milionë euro, duke përfshirë TVSH-në dhe një pjesë të borxheve të mëparshme. Finalizimi i kontratës mund të bëhet vetëm pas transferimit të këtyre fondeve.
Qëllimi ishte të përfundonte procedura brenda 10 nëntorit, pasi tejkalimi i këtij afati do të shkaktonte aplikimin e një kufizimi arkitektonik mbi rrethin e dytë të stadiumit ‘Meazza’, duke bllokuar praktikisht mundësinë e shembjes dhe ndërtimit të stadiumit të ri në të njëjtën zonë.
Projekti i ardhshëm
- Shitja e Meazzas do t’i japë start një projekti të ri, i cili përfshin:
- Ndërtimin e një stadiumi të ri me 71.500 vende në anën perëndimore.
- Pjesërisht ruajtjen e stadiumit aktual, i cili do të përdoret për muze dhe aktivitete komerciale.
- Fillimi i punimeve pritet në vitin 2027, me përfundimin dhe operimin e stadiumit të ri brenda vitit 2031.
Vonimi i mbledhjes së aksionarëve të Milanit
Firmosja e kontratës erdhi njëkohësisht me thirrjen e dytë të mbledhjes së aksionarëve të Milanit, një detaj burokratik i nevojshëm që bordi i vjetër të qëndrojë në detyrë për të finalizuar shitjen.
Hetim për mundësi ndërhyrjeje në garë
Prokuroria e Milano-s po heton për “turbim të garës” në lidhje me shitjen e ‘San Siros’. Sipas ANSA-s, promotori Claudio Trotta, një nga themeluesit e komitetit “Sì Meazza”, është marrë në pyetje nga prokurorët Paolo Filippini, Giovanna Cavalleri dhe Giovanni Polizzi. Në një letër të hapur drejtuar kryebashkiakut, Trotta ka deklaruar se ai dhe operatorë të tjerë të industrisë së eventeve ‘live’ kishin dëshirë të ofronin një propozim për stadiumin, por nuk mundën të merrnin pjesë në tender për shkak të afateve shumë të shkurtra të vendosura nga Komuna.


