Barcelona ka njoftuar se të gjitha biletat për seancën stërvitore të hapur që do të zhvillohet më 7 nëntor në Spotify Camp Nou janë shitur.
Stërvitja do të nisë në orën 11:00, ndërsa dyert e stadiumit do të hapen nga ora 9:30. Çmimi i biletave ishte 5 euro për anëtarët dhe 10 euro për publikun e gjerë. Klubi kishte vendosur një kapacitet prej 23,000 spektatorësh për këtë ngjarje, si pjesë e fazës së parë të rihapjes së stadiumit të rinovuar.
Barcelona bëri të ditur se kërkesa për bileta ishte shumë e madhe dhe se mund të lirojë disa bileta shtesë në ditët në vijim, nëse ato të rezervuara për përdorim teknik nuk do të nevojiten.
Kjo seancë stërvitore do të shërbejë si një provë teknike për funksionimin e stadiumit përpara fazës së ardhshme të hapjes, e cila do të lejojë një kapacitet deri në 45,000 tifozë.


