Juventusi ndodhet në një moment delikat në Ligën e Kampionëve, pasi pas katër ndeshjeve të para nuk ka arritur ende të regjistrojë asnjë fitore, bardhezinjtë kanë tre barazime dhe një humbje, çka i vendos nën presion të madh për pjesën e mbetur të fazës së ligës.
Sipas analizave të bazuara në renditjen e sezonit të kaluar, skuadra torineze do të ketë nevojë për tetë deri në nëntë pikë në katër ndeshjet e mbetura për të ruajtur gjallë shanset e kualifikimit në fazën ‘play-off’.
Kalendari i mbetur i Juventusit në Ligën e Kampionëve
Sfida e radhës për bardhezinjtë do të zhvillohet më 25 nëntor, në udhëtim ndaj Bodo/Glimt. Edhe pse skuadra norvegjeze ka vetëm dy pikë në katër ndeshje, ajo mbetet e fortë në terrenin e saj, me një bilanc mbresëlënës në Evropë gjatë katër sezoneve të fundit, 29 fitore dy barazime dhe vetëm tetë humbje.
Më pas, më 10 dhjetor, Juventusi do të presë Pafosin në stadiumin Allianz, në ndeshjen e fundit të këtij viti në kuadër të garës.
Dy përballjet përmbyllëse të fazës së ligës do të luhen në janar 2026: më 21 janar në shtëpi kundër Benfikës së Jose Mourinhos, dhe më 28 janar në udhëtim ndaj Monacos.
Objektivi: kualifikimi në ‘play-off’
Në sezonin e kaluar, 11 pikë dhe një golavarazh pozitiv ishin të mjaftueshme për të siguruar kalimin në ‘play-off’, megjithëse jo si skuadër e renditur në grupin e parë të kualifikuarve.
Nëse trendi përsëritet edhe këtë edicion, 11–12 pikë pritet të jenë të mjaftueshme për kualifikim. /Telegrafi/


