Crvena Zvezda është kthyer në ndëshkuesen e skuadrave të mëdha. Në takimin e fundit që i takon javës së 9-të dhe që u transmetua në RTSH, Zvezda fitoi në shtëpi përballë Panathinaikos me rezultatin 86-68. Ndeshja nisi menjehërë mirë për vendasit teksa përballë kishin një skuadër, e cila vuante mungesa të shumta prej dëmtimeve dhe sidomos në rolin e qendrës.
Panathinaikos tentoi shumë herë, sidomos në gjuajte nga distanca, por ishte e pasaktë, ndërsa Zvezda pak nga pak ndërtoi një avantazh deri në 20 pikë. Në fund të pjesës së parë Panathinaikos shënoi 3 trepikësha radhazi dhe u fut në lojë. Të paktën kështu u krijua një iluzion që nuk do të zgjaste shumë sepse në periodën e tretë, Panathinaikos shënoi 2 pikë në 5 minutat e para dhe 8 pikë në krejt 10 minutat e kësaj periode.
Avantazhi maksimal i vendasve arriti deri në 28 pikë. Perioda e katërt u duk se ishte thjesht formale. Gabimet nuk u minimizuan nga skuadra helene, madje në zotërimin e topave në tabelë patën një diferencë të madhe me Zvezdën.
Në 5 minutat e fundit të ndeshjes Panathinaikos e uli diferencën deri në 11 pikë dhe shenjat ishin pozitive, por trajneri Ataman nuk i besoi lojtarëve që e ulën diferencën deri në këtë pikë dhe riktheu formacionin e parë që nuk mundi dot ti afrohej barazimit.
Vlen për tu theksuar se sërish lojtari më i mirë i Panathinaikos, Kendrick Nunn zhgënjeu teksa shënoi vetëm 6 pikë. Me këtë fitore, Crvena Zvezda ngjitet përkohësisht në vendin e parë, ndërsa Panathinaikos zbret në vend të 8-të.


