Te Paris Saint-Germain situata po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Pas humbjes 1–2 ndaj Bayern-it në Champions League, skuadra e Luis Enrique-s ka marrë një tjetër goditje të fortë: tre nga lojtarët më të rëndësishëm janë dëmtuar dhe do të mungojnë për disa javë.
Achraf Hakimi pësoi një ndrydhje të rëndë të kyçit të këmbës së majtë. Për fat, nuk ka frakturë, por marokeni do të qëndrojë jashtë për rreth gjashtë javë. Ousmane Dembélé, fituesi i Topit të Artë 2025, ka pësuar një këputje muskulore në pulpën e majtë dhe do t’i mungojë skuadrës për një periudhë të konsiderueshme.
Situata nuk është më e mirë as për Nuno Mendes. Mbrojtësi portugez ka pësuar një dëmtim në gjurin e majtë dhe po vuan nga një ndrydhje, edhe pse arriti të përfundonte ndeshjen ndaj bavarezëve. Ai pritet të rikuperohet drejt fundit të nëntorit, njësoj si Dembélé.
Këto mungesa e vënë PSG-në në pozitë delikate për sfidat e ardhshme. Përveç përballjes me Lyon-in këtë fundjavë, lojtarët e dëmtuar do të humbasin edhe takimet ndaj Le Havre, Tottenham, Monaco dhe Rennes, si dhe ndeshjet ndërkombëtare me kombëtaret e tyre. Për Luis Enrique-n, një periudhë e vështirë sapo ka nisur.


