Dy garat e fundit të Formula 1 kanë sjellë optimizëm te Ferrari, pasi makina italiane ka arritur të ngjitet dy herë radhazi në podium (në Austin dhe Mexico City). Pilotët shpresojnë në një rol mbështetës të skuadrës në finalen e sezonit, për të mbrojtur vendin e dytë në renditjen e konstruktorëve.
Edhe pse pati shenja pozitive nga Lewis Hamilton, ishte përsëri Charles Leclerc ai që dha rezultatet më të mira në dy garat e fundit. Monegasku do të duhet të thyejë tabunë në garën e radhës në Brazil, pasi nuk ka arritur kurrë një vend në tre vendet e para në pistën e Interlagos.
Ndërsa Lewis Hamilton, dëshiron të përfitojë nga progresi i tij për të siguruar podiumin e tij të parë si pilot i Ferrari. Drejtori i ekipit Frederic Vasseur nuk po përqendrohet te pilotët, por te ai përmirësim që i ka lejuar “kokëkuqes” të nxjerrin maksimumin nga SF-25 gjatë dy garave të fundit.
“Në Interlagos, do të përballemi me garën sprint, e cila përfaqëson një tjetër provë të vështirë për të gjithë ekipin, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Në një format kaq kompakt, çdo detaj ka shumë rëndësi: Nga puna përgatitore e bërë në Maranello deri te mbështetja në kohë reale”, tha Vasseur.
“Mbërrijmë në Brazil të mbushur me energji pozitive pas dy fundjavave të mira në Austin dhe Mexico City, ku maksimizuam potencialin e makinës. Qëllimi është të ruajmë këtë vrull, të përqendrohemi në ekzekutim dhe të jemi të gatshëm të përballemi dhe të shfrytëzojmë sa më shumë çdo kusht moti që mund të hasim në São Paulo”, tha Vasseur.


