Kapiteni i Sunderland-it, Granit Xhaka, po përgatitet për një moment të veçantë këtë të shtunë, teksa do të përballet për herë të parë me ish-klubin e tij, Arsenal, por kësaj here nga ana tjetër e fushës. Duke folur ekskluzivisht përpara sfidës së Premier League, Xhaka foli për atmosferën pozitive brenda ekipit të Sunderland-it, emocionet e përziera që lidhen me largimin nga Arsenali dhe për standardet që ka vendosur Mikel Arteta.
Xhaka kujtoi pasditen e vështirë kur u fishëllye në “Emirates”, por theksoi se me kalimin e viteve është pjekur dhe është bërë një udhëheqës i lindur për të drejtuar një skuadër të re si ajo e Sunderland-it. “E shtuna do të jetë një ditë e veçantë, pa dyshim, sepse tani jam në anën tjetër, përballë tyre për herë të parë”, tha ai.
Mesfushori 33-vjeçar luajti shtatë vite me Arsenal, duke u bërë një figurë kyçe në skuadër, pavarësisht disa polemikave, dhe tani udhëheq Sunderlandin që renditet ndër katër skuadrat e para të Premier League.
Xhaka vlerësoi cilësinë e Arsenalit dhe shprehu respekt për klubin, stafin teknik dhe ish-bashkëlojtarët, duke theksuar rëndësinë emocionale të kësaj ndeshjeje që për të ka një domethënie të veçantë.


