Fusha e re e futbollit pranë shkollës së Mjeshtërisë Sportive “Benardina Qerraxhia” në Durrës po përfundon në kohë rekord si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Federatës së Futbollit dhe Bashkisë së Durrësit.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako inspektuan sot nga afër ecurinë e punimeve në këtë projekt të rëndësishëm që do të shërbejë për stërvitjen e fëmijëve të akademisë “Elite Youth” të FSHF-së, duke krijuar kushte optimale për zhvillimin e talenteve të reja të futbollit shqiptar.
Fusha është ndërtuar me tapet artificial modern, ndërsa FSHF ka marrë përsipër shtrimin e tapetit, drenazhimin, vendosjen e portave, rrethimin e fushës dhe instalimin e sistemit të ndriçimit. Nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit ka financuar ndërtimin e bazamentit të fushës.
Në fjalën e tij, Presidenti Duka falënderoi kryetaren e Bashkisë për bashkëpunimin dhe theksoi rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e futbollit dhe edukimin e fëmijëve përmes sportit.
“Kryetare, unë dua të falënderoj ty për bashkëpunimin e shkëlqyer në këtë projekt shumë të rëndësishëm për futbollin kombëtar në përgjithësi. Ndërtimin e kësaj akademie pothuajse unikale në Europë me tre grup-mosha fëmijësh, por jo vetëm juve, edhe Ministrinë e Arsimit, sepse është rasti më i mirë i një bashkimi të të gjitha forcave për të mirën e fëmijëve, për edukimin e tyre.
Jam shumë i bindur që me ndërtimin e fushës, që është bashkëfinancim i joni, dhe me kushtet që ka të përmirësuara në shkollë, fëmijët do të jenë të kënaqur. Do ta ushtrojnë më mirë pasionin e tyre, do të mësojnë më mirë dhe do të bëhen futbollistë më të mirë.
Kjo shkollë është në Durrës, por është një shkollë kombëtare, sepse këtu janë mbledhur talentet më të mirë të Shqipërisë për t’u stërvitur bashkë dhe, në një lloj mënyre, të tre ekipet kombëtare të këtyre moshave janë këtu, do të vazhdojnë të stërviten në këtë fushë dhe do të edukohen këtu.
Ne kemi bashkëpunuar mirë, dhe jam shumë i sigurt që do të kemi bashkëpunime edhe më të mira. Dua të jemi të bindur të gjithë që edukimi nëpërmjet sportit është shumë i rëndësishëm për fëmijët dhe, aq shumë dashuri sa kanë fëmijët shqiptarë për të luajtur futboll, jemi pothuajse vendi i parë në Europë sipas statistikave. Prindërit duhet t’i sjellin fëmijët në futboll. Kështu që detyrimi ynë është akoma shumë më i madh për të bërë shumë më shumë terrene sportive, sepse për fushat e këtyre përmasave, me përmasa standarde për futboll, është shumë i madh dhe ne na dalin detyra akoma edhe më të mëdha. – tha në fjalën e tij Presidenti Duka.
Nga ana e saj, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, falënderoi Presidentin Duka për bashkëpunimin dhe për projektet e përbashkëta që kanë kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës sportive në qytet.
“Faleminderit President, që jeni këtu. Ne kemi shumë pak kohë që kemi inauguruar shkollën. Kjo fushë ishte ende një kantier, për arsye edhe të angazhimit që kishim marrë së bashku. Nuk është hera e parë që bashkëpunojmë.
Kemi bërë edhe para disa vitesh fushën e sportit te stadiumi i Durrësit dhe, përveç kësaj fushe që do t’i shërbejë akademisë së futbollit, ne së bashku kemi marrë edhe një angazhim tjetër, fushën e Katundit të Ri, që praktikisht mund të themi se atje është një stadium i mirëfilltë, sepse terreni ekzistues ka mbetur i paprekur nga tranzicioni, pra është ruajtur vetë nga komuniteti i zonës.
Ne jemi në proces për përzgjedhjen e firmës që do të fillojë punën, edhe aty kemi së bashku pjesën e fushës”, – tha në fjalën e saj Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako.


