Piloti australian Oscar Piastri fitoi sot garën sprint të zhvilluar në pistën e Losail, e vlefshme për Cmimin e Madh të Katarit në Formula 1. Një garë me 19 xhiro, të dominuara nga piloti i McLaren, që e nisi atë nga “pole” dhe e ruajti kryesimin deri në fund.
Në vendin e dytë u rendit britaniku George Russell me Mercedes, ndërkohë që në vendin e tretë u klasifikua britaniku tjetër Lando Norris me makinën tjetër McLaren. Vetëm i katërti holandezi Max Verstappen me Red Bull.
Praktikisht, treshja e podiumit e mbylli garën në po ato vende që e nisi. Gjithsesi, kjo renditje “shkartis disi kartat“ e pilotëve të kreut për sa i përket renditjes së përgjithshme. Norris qëndron në krye, por tani ka vetëm 22 pikë më shumë se Piastri.
Ndërsa Verstappen qëndron i treti, me 25 pikë pas britanikut të McLaren. Një garë sprint zhgënjyese për Ferrari, që nuk mori asnjë pikë me të dy pilotët e saj. Leclerc u rendit në vendin e 13-të, ndërsa Hamilton në vendin e 17-të.


