Pas mesfushorit Lindon Emërllahu, edhe një futbollist tjetër i Kombëtares së Kosovës, është transferuar te skuadra e Ukrainës, Polissya Zhytomir.
Krasniqi, të martën është prezantuar te skuadra e re, të cilës i është bashkuar nga Kolosi, klub që gjithashtu garon në Superligën e Ukrainës.
25-vjeçari ka firmosur kontratë për tre vjet e gjysmë me Polissyan, ekip ku do ta bartë fanellën me numrin 16.
“Krasniqi ka përvojë në Premier League të Ukrainës, gjë që duhet ta ndihmojë lojtarin të përshtatet shpejt me klubin e tij të ri. 25-vjeçari njihet për etikën e tij të punës, vizionin në fushë dhe aftësinë për të vepruar në mënyrë efektive si në qendër të mbrojtjes ashtu edhe në zonën mbrojtëse”, thuhet në njoftimin e FC Polissya.
Detajet e transferimit të Krasniqit nuk janë bërë të ditura, por thuhet se Polissya ka paguar të paktën 1 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij nga Kolosi.
Krasniqi në verën e vitit 2024 u transferua nga Llapi në Ukrainë, ndërsa ishte ndër lojtarët e huaj më të vlerësuar në kampionat.
Këtë sezon, Krasniqi ka shënuar 1 gol në 15 paraqitje për Kolosin, ndërsa ka edhe 17 ndeshje të luajtura me fanellën e Kosovës.


