Selektori i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho është i shqetësuar për repartin e mbrojtjes për shkak se pas Berat Gjimshitit është lënduar edhe Ardian Ismajli.
Gjimshiti u lëndua javën e shkuar dhe i është nënshtruar terapive kurse nuk dihet saktësisht se kur do të rikthehet në fushë, ndonëse tek Atalanta shpresojnë që javën e ardhshme.
Ismajli u dëmtua të martën mbrëma në fitoren e Torinos ndaj Romës, me të cilën u kualifikua në çerekfinale të Kupës së Italisë.
Ismajli ishte ndër më të mirët në fushë deri në minutën e 70-të kur u detyrua të largohet nga fusha për shkak të lëndimit, i cili nuk është specifikuar ende nga ekipi italian.
Megjithatë, te Torino janë në pritje të ekzaminimeve për të kuptuar shkallën e lëndimit të Ismajlit, i cili mbetet një lojtar i rëndësishëm si për ekipin nga Serie A ashtu edhe Kombëtaren e Shqipërisë.


