Janë mësuar dy finalistët e Kupës së Kombeve të Afrikës, pas ndeshjeve gjysmëfinale të zhvilluara mbrëmjen e djeshme, ku Senegali dhe Maroku siguruan biletën për aktin final të kompeticionit më prestigjioz afrikan.
Kombëtarja e Senegalit u kualifikua në finale pas fitores minimale, por tejet të vlefshme, 1:0 ndaj Egjiptit. Heroi i “Luanëve të Terangës” ishte ylli Sadio Mané, i cili në minutën e 78-të realizoi një gol të bukur nga rreth 18 metra, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të djathtë të portës egjiptiane.
Pavarësisht përpjekjeve të Mohamed Salah dhe bashkëlojtarëve të tij, Egjipti nuk arriti të rikthehej në lojë dhe u detyrua të largohej i zhgënjyer nga turneu, ndërsa Senegali konfirmoi formën e lartë dhe ambiciet për trofeun.
Në gjysmëfinalen tjetër, Maroku siguroi finalen pas një përballjeje dramatike ndaj Nigerisë. Koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan pa gola 0:0, ndërsa nga pika e bardhë marokenët u treguan më të saktë, duke triumfuar me rezultat 4:2 në serinë e penalltive.
Me këtë fitore, Maroku siguron një finale historike, duke synuar titullin e parë të Kupës së Kombeve të Afrikës pas plot 50 vitesh. Finalja do të luhet në shtëpi, përballë tifozëve vendas më daten 18 Janar në orqn 20:00, çka pritet ta kthejë ndeshjen në një spektakël të vërtetë futbolli.
Finalja ndërmjet Senegalit dhe Marokut pritet të jetë një duel i fortë mes dy prej përfaqësueseve më të kompletuara të kontinentit afrikan, ku përballen eksperienca, yje botërorë dhe ambicia për histori.


