Tuesday, 20. January 2026
Sport

Balaj-Kallaku, Vllaznia mposht Dinamon dhe ngjitet në vend të dytë

GS 20/01/2026 3 Min. Lesezeit

Vllaznia ka arritur një fitore 2-0 në “Air Albania” përballë Dinamos, në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të “Abissnet Superiore” që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH Sport.

Vllaznia e bën rrugë fitoren me Dinamon, përtej festimit të ekzagjeruar të trajnerit kuqeblu Edi Martini. Pas fitores së fazës së dytë në “Loro Boriçi”, shkodranët ia dalin dhe në Arenën Kombëtare, këtë herë 2-0. Vllaznia e kishte të qartë objektivin që në startin e ndeshjes, kur në të 6’, Iago ka marrë një dhuratë nga Meksi, por godet nga jashtë zone pjesën e jashtme të shtyllës dinamovite.

Ndeshja kalon faza të qeta, ndërsa në të 22’, Bismark ka gjuajtur me kokë, por jashtë. Vjen momenti i artë për kuqeblutë, të cilët në të 30’ kanë fituar penallti, kjo pas pengimit të Bismark nga Tekseira. Dhe nga pika e bardhë e penalltisë, Bekim Balaj nuk ka gabuar.

Dinamo do një farë kohe që të marrë veten, ndërsa në të 42’ provon Meksi, veçse gjuajtja e tij është qëndrore dhe e pritur nga Pols. Fundi i pjesës së parë mbyllet me Vllazninë në sulm, mirëpo Kallaku, pasimin e artë të Kastratit, nuk e shfrytëzon si duhet.

Ndodh ajo që nuk pritej, teksa starti i pjesës së dytë ka ardhur me 40 minuta vonesë për shkak të një problemi me dritat. E megjithatë skuadrat kanë zbritur në fushën e lojës në 21:10, ndërsa Jago në të 58’ ishte shumë pranë golit, por vetëm shtyllë.

Vllaznisë i është anulluar goli i dytë i Gjinit, kjo në të 61’, për faull në sulm të Çelikoviç. Dinamo kundërpërgjigjet me Bernard Berishën, por gjuajtja e tij përfundon në duart e Pols. Blutë pretendojnë për penallti në të 75’, kjo pas ndërhyrjes së Bregut, por për Jorgjin gjithçka ishte e rregullt.

Dhe gradualisht Vllaznia ndërton aksionin e golit të dytë me Kastratin, që është finalizuar nga Kallaku dhe festë shkodrane në Arenën Kombëtare. Festë e ekzagjeruar nga Edi Martini, i cili ka marrë kartonin e kuq nga gjyqtari Enea Jorgji dhe pjesën e mbetur të ndeshjes e ka drejtuar skuadrën nga tribunat.

Përfundimisht 2-0 për Vllazninë dhe 36 pikë për shkodranët, që ngjiten në vendin e dytë në renditje, kurse Dinamo mbetet në vendin e katërt me 33 pikë.

Teilen: