Australian Open si sfilatë! Opelka me kostum 1400 dollarë, Osaka me vello dhe ombrellë
Tenisti amerikan ka marrë vëmendje në rrjetet sociale për veshjen e shtrenjtë që ka përdorur në ndeshje. Naomi me aksesorë “total white”.
Jo vetëm gjuajtje fituese. Në Australian Open, Reilly Opelka ka qenë protagonist edhe për një detaj të veçantë: veshjen me kosto shumë të lartë. Amerikani kaloi në turin e parë Nicolai Budkov Kjaer dhe do të ndeshet me spanjollin Alejandro Davidovich Fokina, por kurioziteti është se me çfarë kompleti do të zbresë ai në fushë.
Marka e re që kishte veshur Opelka quhet “Sease”, një brand i themeluar nga vëllezërit Loro Piana. Çmimet janë stratosferike: një fanellë e thjeshtë vrapi kushton 390 euro. Dhe artikujt e tjerë të përfshirë në “men’s tennis kit” kanë standard të njëjtë.

Fanella e tenisit kushton 380 euro, ndërsa pantallonat e shkurtra të veshura në ndeshjen e parë janë 480 euro. Kompleton “outfit”-in kapelja “Tennis Solaro Cup”, që shitet 330 euro. Në total bëhen 1190 euro, rreth 1400 dollarë. Një look që nuk ka kaluar pa u vënë re, po aq sa shërbimi i tenistit amerikan.
Edhe Naomi Osaka ka zgjedhur të prezantohet në një mënyrë shumë të veçantë. Në ndeshjen e debutimit në Australian Open, ajo u shfaq në Rod Laver Arena me një “outfit” që mori vëmendje më shumë se loja.
Bashkë me kostumin Nike, Osaka mbante një kapele të madhe të bardhë, të kombinuar me një ombrellë dhe pantallona të së njëjtës ngjyrë. Look-un e saj e kompletonte një vello trasparente, që e bënte hyrjen e tenistes më skenografike. Një prezantim si i kopertinave të “Vogue” për ish-numrin 1 të botës. Osaka dëshiron që në Melbourne të flitet për të edhe jashtë fushe.