Norris kujton javën dhe garën e titullit: Kaotike, nuk e di nëse isha i emocionuar apo i frikësuar
Në prag të fillimit të sezonit të ri, piloti britanik Lando Norris i është rikthyer suksesit te titulli kampion i vitit të kaluar. Piloti i McLaren ka pranuar se gara e fundit zhvilluar në Abu Dhabi, që edhe vendosi për titullin, ishte paksa kaotike për të.
Norris mori vendin e tretë që i nevojitej për të mposhtur shokun e tij të ekipit në McLaren, Oscar Piastri, dhe pilotin e Red Bull, Max Verstappen, në një betejë emocionuese trepalëshe për të fituar titullin e tij të parë.
“Java para garës më të madhe të jetës sime ishte emocionuese. Nuk dija si të ndihesha, nuk dija si të veproja, nuk dija si duhej të isha. Nuk e dija nëse duhej të isha vërtet i emocionuar apo i frikësuar”, u shpreh Lando Norris.
“Mendova se do të isha shumë nervoz, sepse nervozohem në çdo garë, në çdo kualifikim, gjithmonë. Kjo është një gjë e njohur. Mendova se do të ishte paksa kaotike“, shtoi 26-vjeçari britanik.
“Duke u futur në makinë, në fakt u ndjeva mjaft i gatshëm. Ndihesha shumë i qetë. Vetëm një ditë tjetër në zyrë. Ndihesha gati. Ende e dija në kokën time, kjo ishte e gjitha, dhe koha kishte ardhur“, deklaroi Norris.