Rexhbeqaj nuk dëshiron të flas për të ardhmen: “Asnjë koment” për kontratën me Augsburgun
Elvis Rexhbeqaj ka qenë një nga figurat kryesore të FC Augsburg në barazimin 2:2 ndaj SC Freiburg, por pas ndeshjes vëmendja nuk u përqendrua vetëm te goli i tij.
Mesfushori shqiptar u përball edhe me pyetje rreth së ardhmes së tij, teksa kontrata me klubin nga Bundesliga i skadon në fund të këtij sezoni.
Edhe pse zakonisht njihet si një futbollist që flet hapur, këtë herë Rexhbeqaj zgjodhi heshtjen.
Sipas gazetës gjermane Augsburger Allgemeine, mesfushori shqiptar është treguar i rezervuar kur është pyetur për të ardhmen e tij, teksa kontrata me klubin nga Bundesliga i skadon në fund të këtij sezoni.
“Situata ime personale nuk është e rëndësishme, fillimisht duhet të marrim pikë”, u shpreh ai fillimisht. Kur u pyet drejtpërdrejt nëse do të qëndrojë në Augsburg, do të largohet apo do të rinovojë kontratën, përgjigjja e tij ishte e shkurtër dhe e prerë: “Asnjë koment.”
Kjo deklaratë ka shtuar dilemat rreth së ardhmes së 28-vjeçarit, i cili është pjesë e Augsburgut që nga viti 2022 dhe ka arritur vazhdimisht të fitojë vendin e tij në formacion, pavarësisht konkurrencës në mesfushën mbrojtëse.
Edhe pse ndaj Freiburgut e nisi ndeshjen nga stoli, ai u aktivizua në fillim të pjesës së dytë për shkak të dëmtimit të Kristijan Jakic dhe la menjëherë gjurmë.
Në minutën e 49-të, Rexhbeqaj realizoi me kokë pas një harkimi të Fabian Rieder, duke i dhënë Augsburgut epërsinë 2:0. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për fitore, pasi Freiburg barazoi më vonë nga dy situata standarde.
Nga ana e klubit, drejtori sportiv Benjamin Weber nuk dha detaje konkrete mbi negociatat, duke theksuar vetëm se komunikimi me lojtarët është i vazhdueshëm. “Çfarë diskutojmë për kontratat, mbetet brenda dhomave tona dhe zyrave”, deklaroi ai.
Në një moment delikat për Augsburgun, që ka vetëm katër pikë avantazh nga zona e rënies, Rexhbeqaj duket se dëshiron të fokusohet vetëm te fusha.
E ardhmja e tij mbetet e hapur, por për momentin mesazhi është i qartë: prioritet janë pikët dhe mbijetesa në Bundesliga, jo kontrata personale.