Barcelona i vendos dy kushte Lewandowskit për vazhdimësinë
Robert Lewandowski po përballet me një moment vendimtar në aventurën e tij te Barcelona, pasi klubi i ka komunikuar qartë kushtet për vazhdimësinë e kontratës.
Në zyrat e klubit nuk ka dëshirë për ta detyruar largimin e tij, por rinovimi nuk do të jetë as automatik dhe as pa kushte.
Drejtuesit kanë përcaktuar një kornizë të re sportive dhe financiare, në përputhje me realitetin aktual të projektit blaugrana.
Nga ana sportive, Barcelona i ka kërkuar sulmuesit polak të pranojë një rol të ri brenda skuadrës.
Në moshën 36-vjeçare, ai nuk konsiderohet më titullar i padiskutueshëm në çdo ndeshje.
Ideja e stafit teknik është që Lewandowski të shfrytëzohet si një armë strategjike, duke i menaxhuar minutat dhe duke e aktivizuar në ndeshje kyçe, ku përvoja dhe instinkti i tij mbeten vendimtare.

Çështja më delikate lidhet me aspektin financiar
Aktualisht, paga e tij arrin rreth 26 milionë euro në vit, një barrë e madhe për kufijtë e rreptë të pagave të klubit.
Për këtë arsye, drejtuesit i kanë kërkuar një ulje shumë të ndjeshme të pagës, pothuajse përgjysmim, në përputhje me rolin e ri që i propozohet në skuadër.
Presidenti Joan Laporta dhe drejtuesit theksojnë se kjo qasje nuk është personale, por strukturore.
Lewandowski vlerësohet për profesionalizmin, lidershipin dhe ndikimin pozitiv në një dhomë zhveshjeje me shumë lojtarë të rinj, raporon telegrafi.
Edhe me më pak minuta, klubi beson se ai mund të vazhdojë të jetë një garanci golash dhe një shembull për të ardhmen.
Tani vendimi i takon vetë lojtarit, ai duhet të zgjedhë mes pranimit të rolit dhe pagës së re ose kërkimit të një aventure tjetër për të ruajtur statusin aktual.
Barcelona nuk do ta pengojë nëse vendos të largohet, por as nuk do të devijojë nga kufijtë e vendosur.
Javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të sqaruar të ardhmen e sulmuesit polak.