Euroliga në RTSH: Fenerbahçe drejt kreut, fiton në Bolonja
Fenerbahçe ka fituar përballë Virtus Bolonjas me përmbysje 80-85 pas një beteje të ashpër dhe me tension. Ndeshja u zhvillua në Bolonja me një mbështetje të madhe nga tifozët por për vendasit mungesat ishin jo pak si Smailagic dhe Vildoza, lojtarë të formacionit të parë.
Në fillim shpertheu Carsen Edëards duke shënuar 10 pikët e para për italianët e duke i dhënë avantazhin. Perioda e parë mbyllet me 15 pikë për Edwards, ndërsa virtus arriti deri në 10 pikë avantazh. Në periodën e dytë përpjekjet e skuadrës turke janë të shumta por gabimet në mbrojtje dhe faullat e shumtë e ndëshkojnë dhe Bolonja e mbyll pjesën e parë me shifrat 47-40.
Në periodën e tretë Virtus pëson një black out. Fenerbahçe shënon, ndërsa italianët kalojnë 6 minutat e para me vetëm 1 pikë të shënuar. Këtu ndodh dhe përmbysja e rezultatit, por jo me shumë pikë diferencë duke i lënë në lojë bolonjezët.
Perioda e katërt është më e ekuilibruar mes dy skuadrave ku dhe ndryshojnë mes tyre udhëheqjen. Në fund protagonistët janë pikërisht ata, Edwards që e mbyll me 35 pikë, ndërsa Horton Tucker tek Fenerbahçe me 28 pikë.
Vetëm se ky i fundit ja del të shënojë 5 pikë në momentin më vendimtar në fund që kthen rezultatin nga 75-74 për Virtus në 75-79 për Fenerbahçen. Që këtu nuk ka më shpresë për italianët të cilët provojnë me disa faulla por nuk ia dalin.
Edwards pati mundësi në fund të shënonte koshin e barazimit për ta çuar në shtesë por nuk ia doli dhe fitorja i takon Fenerbahçes. Me këtë fitore, Fenerbahçe ngjitet në vend të 2-të, ndërsa Virtus qëndron në vend të 11.