FSHF prezanton strategjinë “Vision to Victory” 2026–2030 për zhvillimin e futbollit
Federata Shqiptare e Futbollit do të prezantojë ditën e hënë, më 26 janar, në “Shtëpinë e Futbollit”, strategjinë 2026-2030 “Vision To Victory”. Një dokument strategjik, që përcakton drejtimin, prioritetet dhe objektivat e zhvillimit të futbollit shqiptar për 4 vitet e ardhshme.
Kjo strategji përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një modeli të qëndrueshëm dhe afatgjatë, duke synuar forcimin e futbollit në të gjitha nivelet, nga baza dhe edukimi, garat e ekipet kombëtare, futbolli i vajzave, tek infrastruktura, qeverisja, marrëdhëniet me publikun dhe përgjegjësia sociale.
Në një periudhë ku futbolli shqiptar ka njohur zhvillime të mëdha e të rëndësishme dhe ka fituar eksperienca mjaft të vlefshme në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, FSHF ka vendosur të konsolidojë këtë rrugëtim përmes një vizioni të qartë dhe të strukturuar, në përputhje me standardet dhe politikat e UEFA-s dhe FIFA-s.
Gjatë prezantimit të strategjisë “Vision To Victory” do të bëhen publike objektivat kryesore, shtyllat strategjike dhe prioritetet që do të udhëheqin zhvillimin e futbollit shqiptar në katër vitet e ardhshme. Kjo strategji nuk është thjesht një dokument orientues, por është një angazhim për të zhvilluar futbollin shqiptar mbi baza të forta, të planifikuara dhe të qëndrueshme.