Shaqiri dhe Saipi në formacionin e javës në Zvicër
“Sofascore” ka publikuar formacionin ideal të javës në Superligën e Zvicrës, ku spikasin edhe dy futbollistë shqiptarë falë paraqitjeve të tyre të jashtëzakonshme.
Ylli i Baselit, Xherdan Shaqiri, ka qenë protagonisti absolut i javës.
Ai realizoi një hat-trik spektakolar në fitoren ndaj Zurichut, duke shtuar edhe një asist, çka e bëri atë lojtarin më të vlerësuar të xhiros.
Për performancën e tij brilante, Shaqiri u notua me notën maksimale 10 nga platforma e njohur statistikore.
Në formacionin e javës është përfshirë edhe portieri i Kombëtares së Kosovës, Amir Saipi.
Gardiani shqiptar shkëlqeu me pritjet e tij vendimtare, duke pasur një rol kyç për ekipin e tij, ndërsa u vlerësua me notën e lartë 8.7.
Përfshirja e dy futbollistëve shqiptarë në 11-shen më të mirë të javës konfirmon formën e tyre të shkëlqyer dhe ndikimin e madh që ata kanë në klubet respektive në Superligën e Zvicrës.