Shorti i Play-off-it, si funksionon dhe të gjitha detajet! Interin e pret Bodo ose Mourinho
“Phase League” e Champions-it i ka dhënë tashmë verdiktet e saj. Dikush e pret shortin komod nga divani, pasi nuk pret diçka tjetër për të mësuar fatin e vet. Situatë tjetër për skuadrat nga vendi i 9-të te vendi i 24-t…
Të premten e 30 janarit, në orën 12:00, hidhet shorti i Play-off-it. Jo vetëm kaq. Brenda grupit të atyre që janë kualifikuar në Play-off ka një ndarje: skuadrat nga vendi i 9-të tek i 16-ti konsiderohen koka serie dhe ndeshjen e kthimit e luajnë në shtëpi, kundër atyre që pozicionohen nga vendi i 17-të tek i 24-ti. Me mundësi të dyfishta.

Interi i vendit të 10-të, për shembull, mund të luajë ndaj vendit të 23-të ose 24-t, në këtë rast Bodo Glimt ose Benfika. Pra, zikaltrit mund të kenë përballë ish-trajnerin e tyre, Jose Mourinho. Më 17-18 shkurt luhen ndeshjet e para, më 24-25 shkurt ndeshjet e kthimit. Shorti hidhet në Nyon, Zvicër.
Nga skuadrat italiane, Inter, Juventus dhe Atalanta e Gjimshitit do ta luajnë ndeshjen e kthimit në fushën e tyre, kurse Napoli duhet të mendojë vetëm për kampionatin, sepse Champions-it i ka dhënë lamtumirën pas humbjes në “Maradona” kundër Chelsea.
Në 1/8-t kanë shkuar direkt 5 skuadra angleze, kurse surpriza ishte dalja e Real Madrid, që ishte i 3-ti, por doli nga 8-shja pas fitores së Sporting dhe Benfikës, që u kualifikua për diferencë golash (falë golit në sekondën e fundit të portierit Trubin).
Interi shkon në Play-off si kokë serie dhe ndeshjen e parë e luan në Norvegji ndaj Bodo, ose në Lisbonë ndaj Benfikës. Nëse kualifikohen, zikaltrit do të përballen me Manchester City ose Sporting. Juventusi e mbylli “League Phase” në vend të 13-të dhe në Play-off ndeshet me Galatasaraj ose Bruges. Në rast kualifikimi përballet më tej me Liverpool ose Tottenham.
Atalanta e Berat Gjimshitit shpërdoroi kualifikimin direkt pas humbjeve në dy ndeshjet e fundit. Tani luan kundër Borussia Dortmund ose Olympiacos, ndeshjen e parë në trasfertë dhe të dytën në Bergamo. Në rast kualifikimi e pret një mes Bayern e Arsenal.
Faza me eliminim direkt e Champions-it është projektuar sipas një tabele të stilit tenistik, ku çiftet përcaktohen nga shorti i 30 janarit.
Koka serie në short janë: Real Madrid, Inter, PSG, Newcastle, Juventus, Atletico Madrid, Atalanta dhe Bayer Leverkusen. Kundërshtarë të tyre do të jenë: Borussia Dortmund, Olympiacos, Club Brugge, Galatasaray, Monaco, Qarabag, Bodo Glimt, Benfica.
Në short nuk ka asnjë kufizim. Skuadrat e së njëjtës federate mund të përballen me njëra-tjetrën. Pranohen edhe përballjet mes skuadrave që janë ndeshur në fazën kampionat.
Tetë skuadrat që do të kualifikohen në fazën e 1/8-ve do të shortohen të premten e 27 shkurtit 2026. Ndeshjet e para të kësaj faze luhen më 10-11 mars, të kthimit më 17-18 mars. Çerekfinalet zhvillohen më 7-8 prill dhe 14-15 prill. Gjysmëfinalet luhen më 28-29 prill dhe 5-6 mas, ndërsa finalja më 30 maj në “Puskas Arena” të Budapestit.