Friday, 30. January 2026
Sport

Kërnaja: Asnjë hap fals në shtëpi, Elbasani nuk është në rangun e Partizanit

GS 30/01/2026 4 Min. Lesezeit

Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, doli sot në konferencë shtypi, ku foli për përballjen me Elbasanin, që luhet nesër dhe do të transmetohet direkt në RTSH. Edhe pse skuadra vazhdon të ketë mungesa, trajneri i kuq theksoi se në shtëpi nuk duhet bërë asnjë hap fals. Kërnaja gjithashtu evidentoi faktin se Partizani është ekip i madh dhe Elbasani nuk është në rangun e tij.  

Elbasani kundërshtari juaj në kampionat dhe kupë?

Sigurisht ne do të fokusohemi vetëm te ndeshja e nesërme, nuk duhet të mendojmë ndeshjen e kupës. Na duhen 2 javë për të luajtur ndeshjen e parë të kupës. Shumë rëndësi për ekipin tonë ka ndeshja e nesërme për vetë objektivat që ne kemi.

Elbasani vjen në këtë sfidë pas një fitoreje?

Eshtë një ndeshje e vështirë. Elbasani siç e thatë edhe ju vjen pas një fitore, ndoshta jo në formën e tyre maksimale pasi në 5 javët e fundit kanë vetëm një fitore. E kanë arritur këtë fitore ndaj Dinamo City, kjo do të thotë që janë një ekip shumë i mirë, i mirëinvestuar këtë vit, por edhe ne jemi një ekip po ashtu i mirë. Hyjmë sigurisht për 3 pikë, luajmë në shtëpinë tonë. E kemi thënë edhe më përpara në shtëpinë tonë s’duhet të kemi asnjë hap fals kështu që nesër mendojmë vetëm për 3 pikë.

Sidibe dhe Fadairo do të jenë nesër fushë?

Sidibe dhe Fadairo janë dy ardhje të reja të ekipit tonë. Ata janë njëlloj si të gjithë lojtarët e tjerë. Kemi për të zhvilluar edhe seancën e sotme stërvitore dhe nesër besoj do të merren vendimet se kush do e fillojë nga minuta e parë. E kam thënë edhe më përpara nuk është çështje emrash por është çështje grupi, kolektivi. Ne na bën të ecim përpara i gjithë grupi jo emra në veçanti.

Mund të keni ndonjë surprizë në orët e fundit të merkatos?

E kemi thënë edhe më përpara që këto janë biseda brenda shtëpisë, kështu që shpresoj të kryhen. Edhe nëse nuk kryhen nuk është problem, sepse ne grupin e kemi.

Situata me dëmtimet?

Janë po të njëjtët të dëmtuar, nuk kemi asnjë lojtar të rekuperuar. Preka vazhdon i dëmtuar, Marku po ashtu, Atanaskoski, Çipi dihet për një kohë të gjatë, pa harruar Doumbia dhe Nondi, pra dëmtimet janë po këta lojtarë. Por e kam thënë ekipi është i shëndoshë, emrat janë kemi lojtarë të tjerë për t’i zëvendësuar, sepse Partizanin e bën grupi dhe jo individi.

Pas ndërhyrjeve në merkato mund të themi që ky është Partizani i Kërnajës?

Të them të drejtën, ekipi ka qenë i ndërtuar nga një trajner në kohën e kupave të Europës, pastaj u mor një trajner tjetër, pastaj siç isha unë pjesë e stafit e gjetëm. Janë çuna që mua më kanë pëlqyer, prandaj edhe e kam pranuar si sfidë dhe djemtë janë kanë bërë maksimumin. Kemi patur nevojë për ndërhyrje në dy pozicione të dubluar jo që nuk kemi patur, por për të dubluar pozicionet që kishim. Nuk mund të luaj 30 ndeshje në sezon Isgandarli në 90 minuta, çështje fizike, duhet të ketë një tjetër person për ta dubluar. Edhe nga krahu Bintsoukas kemi menduar të marrim një tjetër. Kanë qenë thjesht për të dubluar pozicionet, për të shtuar forcat deri në rikthimin e lojtarëve të dëmtuar pastaj ekipi kompletohet.

Përballë Elbasanin ende nuk keni fitore në këtë sezon, mund të thuhet kjo tabu nesër?

Nuk është tabu. Partizani është ekipi madh. Elbasani nuk hyn në rangun e Partizanit, me gjithë respektin dhe formën e momentit. Nuk është tabu është ndeshja e radhës, hyjmë për 3 pikët shpresoj dhe uroj që t’i fitoj.

Teilen: