RedBird kompleton rifinancimin e Milanit, konfirmohen Scaroni dhe Furlani
RedBird kompleton rifinancimin e Milanit: ikën Elliott, futet Comvest Credit Partners. Lajmi është bërë i ditur me anë të një komunikate zyrtare. Konfirmohen Scaroni dhe Furlani në menaxhimin e klubit kuqezi, ndërsa nga bordi largohen dy përfaqësuesit e fondit të Singer.
“RedBird Capital Partners njofton se ka përfunduar me sukses operacionin e rifinancimit që forcon strukturën financiare të AC Milan dhe konsolidon fleksibilitetin për një kohë të gjatë”, – shkruhet mes të tjerash në njoftimin zyrtar.
Gerry Cardinale, themeluesi i RedBird, ka deklaruar: “Tre vitet e fundit kemi punuar për të forcuar në mënyrë konstante performancën financiare dhe sportive të Milanit, duke ndërtuar themele më solide dhe të sigurta për të ardhmen. Impenjimi ynë te Milani është udhëhequr nga një vizion afatgjatë karshi klubit, rolit të tij prej lidershipi në qytetin e Milanos dhe trashëgimisë historike si një nga klubet europiane me më shumë sukses.
Me projektin e stadiumit të ri në ‘San Siro” e shohim me më shumë besim trajektoren e klubit. Do të vazhdojmë të shohim mundësi për të krijuar vlera në kohë dhe të forcojmë profilin e Milanit”.