Abissnet Superiore në RTSH/ Tirana sfidon Egnatian, Nuhiu: Jemi në rrugën e duhur për të krijuar identitetin tonë!
Katër takimet e luajtura këtë vit të ri kalendarik kanë qenë pozitive për Tiranën, e cila në Abissnet Superiore numëron dy fitore dhe një barazim. Për të vazhduar këtë trend pozitiv ekipit bardheblu i duhet që nesër të sakrifikojë gjithçka pasi rivali i radhës do të jetë Egnatia.
Në vigjilje të këtij dueli numri një i stolit bardheblu u tregua diplomat kur komentoi pritshmëritë që ka për këtë takim. “Kërkoj vazhdimësi, jemi në rritje e sipër, skuadra po krijon identitet dhe organizim, rezultati është i rëndësishëm, besoj që do të bëjmë ndeshje të mirë, skuadra jonë nuk duhet të gabojë, besoj fuqishëm te kualiteti dhe te karakteri i grupit sepse po na e tregojnë nga ndeshja në ndeshje, edhe ndaj Flamurtarit ishim të ngarkuar nga aspekti emocional, por lojtarët treguan madhështi dhe karakter të fortë”, tha Ardian Nuhiu.
Një tjetër argument i prekur nga trajneri i Tiranës ishte edhe ai në lidhje me organikën që ka në dispozicion për sfidën me kampionët në fuqi të Shqipërisë. “Nesër do të kemi mungesa të rëndësishme si Haxhiu ka një periudhë që na mungon, Ernest po ashtu, por kam besim te lojtarët që do të zbresin në fushë, kam besim për një performancë të mirë”, tha Nuhiu.