Marotta: Stadium i ri, epokë e re. Merkatoja? Na duhet largpamësi dhe fantazi
Stadiumi i ri do t’i lejojë Interit dhe Milanit të rrisin ndjeshëm të ardhurat. Këtë e theksoi presidenti i zikaltërve, Giuseppe Marotta, në një intervistë për DAZN: “Patjetër po. Në Itali kemi pasur një periudhë ngecjeje, që na ka çuar në fund për sa i përket infrastrukturës. Në Europë janë ndërtuar ose rinovuar 250 stadiume në 20 vitet e fundit, ndërsa në Itali vetëm 6. Stadiumi është zemra e klubit dhe një aset kryesor që rrit të ardhurat”.
Marotta krahasoi shifrat: “Ne dhe Milani arkëtojmë rreth 80 milionë euro, ndërsa Real Madridi dhe Barcelona 250–300 milionë, me objektivin e ‘Los Blancos’ për të kaluar 500 milionë. Ne synojmë më shumë se dyfishimin e të ardhurave nga ‘matchday’ dhe aktivitetet javore”.
Për merkaton: “Sot bilancet ekonomike janë thelbësore. Do të duhet largpamësi, fantazi, kreativitet dhe kompetencë, më shumë se financime nga pronarët”.