Gjilani largon sulmuesin Kasa
Sulmuesi nga Shqipëria, Redi Kasa më nuk është pjesë e skuadrës së Gjilanit.
Ekipi nga Superliga e Kosovës në futboll, të martën ka njoftuar se ka ndarë rrugët me sulmuesin Kasa.
Po ashtu, Gjilani ka falënderuar sulmuesin për angazhimin, kontributin, si dhe i ka dëshiruar suksese në vazhdim të karrierës.
“Sport Club Gjilani njofton opinionin publik se, me marrëveshje të ndërsjellë, është arritur ndërprerja e parakohshme e kontratës me futbollistin Redi Kasa”, thuhet në njoftim.
Kasa iu bashkua Gjilanit në verën e vitit të kaluar nga Egnatia dhe gjatë periudhës së angazhimit të tij me klubin, ai u paraqit në 7 ndeshje kampionale si dhe në 1 ndeshje të Kupës.
“Sport Club Gjilani e falënderon futbollistin Redi Kasa për kontributin dhe profesionalizmin e treguar gjatë kohës së qëndrimit në klub dhe i uron shumë suksese në vazhdimësinë e karrierës së tij sportive”, mbylli Gjilani njoftimin.