Kanté firmos me Fenerbahçe, presidenti i klubit turk falënderon …Erdoganin
Katër muaj nga Kupa e Botës 2026, N’Golo Kanté, 34 vjeç, ikën nga Arabia Saudite për t’u transferuar në Turqi, te Fenerbahçe. Mesfushori kërkon të ruajë vendin e tij në kombëtaren franceze, duke luajtur në një nivel më të lartë se ai arab.
Kalimi i tij në Turqi ishte parashikuar për të hënën, por u vonua. Fenerbahçe, që donte të ndërronte sulmuesin maroken Youssef En-Nesyri me Kante, akuzoi Al Ittihad se kishte vendosur në mënyrë të gabuar informacionin mbi transaksionin në software dedikuar FIFA-s.
Çështja u zgjidh të martën, me ndërmjetësimin e FIFA-s, sipas burimeve të ndryshme. Pronari i Fenerbahçe, Sadettin Saran, ka falënderuar edhe presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan “për mbështetjen e madhe, që solli mbylljen pozitive të kësaj çështjeje”.
Pas dy vitesh e gjysmë tek Al Ittihad, mesfushori francez do të kalojë te skuadra e dytë e kampionatit turk, e njohur për atmosferën e zjarrtë që krijon në stadiumin ”Sukru Saracoğlu” të Stambollit. Më parë ka luajtur në Francë me Boulogne dhe Caen, në Angli me Leicester dhe Chelsea, si dhe në Arabinë Saudite me Al-Ittihad.
Ne Francën Kante numëron 65 ndeshje dhe 2 gola të shënuar. Në Turqi ai firmosi një kontratë deri në qershor 2028, ndërsa vështrimin e ka te Botërori i verës.