Thursday, 5. February 2026
Sport

Audi “vë bast” për një pilote femër, Emma Felbermayr hyn në skuderinë gjermane

GS 05/02/2026 2 Min. Lesezeit

Skuderia e Formula 1, Audi, zyrtarizon Emma Felbermayr si pilote për sezonin e F.1 Academy. Seria femërore që mbështet Botërorin e Formula 1.

Bëhet fjalë për një lëvizje të rëndësishme për markën gjermane, që promovon zhvillimin e programit për të shoqëruar femrat në rrugëtimin drejt nivelit më të lartë të Motorsport.

Projekti sportiv i Audi-t bëhet kështu më serioz dhe më i gjerë. Pilotja 19-vjeçare austriake vjen pas një debutimi mjaft pozitiv në 2025-ën, ku tërhoqi vëmendjen e Audi-t.

“Jemi të lumtur të njoftojmë zyrtarisht afrimin e Emma-s në familjen e Audi-t, – ka deklaruar Allan McNish, drejtori i Driver Development Programme. – Dedikimi dhe paraqitjet e saj në sezonin debutues na kanë bindur për potencialin e saj për të ardhmen. Të vazhdojmë të mbështesim talentin femëror është përparësi për ne dhe një burim krenarie”.

Felbermayr do të ketë kështu mundësinë të garojë në një kampionat kompetitiv për të rritur vlerën e talentit femëror në timon. Academy është strukturuar në mënyrë të tillë, që të fitohen pikët e nevojshme për Superlicencën, që të jep autorizimin për kalimin në Formula 1.

Fitimi i kampionatit vlen 10 pikë dhe lejon kalimin në Formula 3 dhe 2. Femra e fundit që ka garuar në F.1 ka qenë italiania Giovanna Amati në 1992-shin. E dyta mund të jetë Emma Felbermayr me Audi.

Teilen: