Saturday, 7. February 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH/ Egnatia “rilind” në Vlorë, mposht Flamurtarin dhe merr fitoren e parë në kampionat në vitin 2026

GS 06/02/2026 2 Min. Lesezeit

Egnatia ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë, teksa ka mundur Flamurtarin 0-1. Në stadiumin e boshatisur, pa tifozë për shkak se është i dënuar, skuadra vlonjate sërish ka dalë pa pikë, duke thelluar më shumë krizën e rezultateve dhe pikëve, teksa vazhdon të qëndrojë në fundin e tabelës së renditjes së Abissnet Superiores.

Pjesa e parë e luajtur në stadiumin Flamurtari është me pak raste për shënim, me skuadrat që mundohen të ruajnë portat respektive për të shmangur pësimin e golit. Në këto kushte pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0. Por me fillimin e pjesës së dytë, miqtë nga Rrogozhina gjejnë golin. Ruçi kroson nga e djathta dhe  Bakajoko brenda zonës, gjuan me kokë duke shënuar golin e avantazhit.  Ngulmon Egnatia me Albaneze që provon nga distanca, por topi godet traversën e portës vlonjate. Flamurtari nuk dorëzohet dhe e zhvendos lojën në gjysmëfushën e Egnatias.

Është Maksuti që rrezikon por topi devijohet në goditje këndi. Më pas vlonjatët pretendojnë për penallti për një prekje të topit me dorë nga Fangaj. Por kryesori Hamiti vazhdon lojën, ndërkohë që VAR-i nuk ndërhyn.

Këmbëngul Peralta por Dajsinani në një ditë shumë të mirë e devijon topin duke shpëtuar portën e tij. Trashi provon me një goditje dënimi por Dajsinani përsëri është i pakalueshëm. Përfundimisht Egnatia merr fitoren e parë për 2026, falë golit të Bakajokos dhe portierit Dajsinani që e mbajti të paprekur portën e rrogozhinasve. Pas kësaj fitoreje, Egnatia ruan ritmin e skuadrave të kreut të renditjes së Abissnet Superiores.

Teilen: