Vëllaznimi dhe Llapi barazojnë në derbin dramatik në Gjakovë
Ashtu siç pritej, derbi i xhiros mes Vëllaznimit dhe Llapit ishte shumë dramatik.
Ndeshja e së shtunës mbrëma në “Shani Nushi” në Gjakovë i takoi xhiros së 15-të, përkatësisht të parës së stinorit pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt), përcjell KosovaPress.
Në fund rezultati ishte 27:27.
Santos de Souza Kaiq i Llapit shënoi pak para fundit për rezultatin përfundimtar. Në minutën e 60-të shënoi edhe Vëllaznimi me Çlirim Ramën për 27:26.
E gjithë ndeshja ishte e fortë, kurse në epërsi të lehtë ishin herë njëra e herë skuadra tjetër.
Ardi Halili udhëhoqi Vëllaznimin me dhjetë gola. Pesë i kishte Florian Rexha.
Te Llapi me efikasitet u dallua Rios Ramirez Victor me gjashtë gola. Nga pesë i shtuan Artir Muçiqi dhe Souza Kaiq.
Vëllaznimi është i katërti me 14 pikë. Llapi i ka nëntë në vendin e gjashtë.
Të shtunën u luajtën edhe dy ndeshje tjera të xhiros së 15-të.
Kampioni në fuqi, Rahoveci, fitoi ndaj Vushtrrisë në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” me rezultatin bindës, 42:17.
Ndërkohë Kastrioti i Ferizajt e mposhti Prishtinën me rezultat 38:30.
Granit Kadiri i shënoi 12 gola për Rahovecin, kurse tetë i kishte Lulzim Shabani.
Te Vushtrria gjashtë gola i shënoi Leonard Krasniqi, kurse pesë i shtoi Amir Fazliu.
Kastriotin drejt fitores e udhëhoqi Festim Mustafa me 10 gola. Tetë i shënoi Alban Haziri.
Te Prishtina u shqua Enis Kuleta me 13 gola. Gjashtë i kishte Albi Gjuka.